Deri në Botëror (14 qershor-15 korrik) kanë mbetur edhe dy javë, ndërkohë që Mohamed Salahu që dëmtoi shpatullën në finale të Champion-sit, do të ketë nevojë për tri javë që ta rimarrë veten. Sidoqoftë, nga Egjipti njoftohet se ky futbollist i shkëlqyer do të jetë gati për Mundial, por tani çështja është nëse ky lajm është i vërtetë apo synon që t’i inkurajojë tifozët. Pra, çështja është, nëse, me të vërtetë, Salahu do të jetë në gjendje të luajë fiks mbas tri javësh, sepse, zakonisht, në situata të tilla, shtohet edhe një javë tjetër që procesi i kurimit të jetë i plotë, kështu që mungesa e tij mund të shkojë edhe deri në një muaj.
“Ne po bëjmë gjithçka të mundur që ai ta rimarrë veten, por ai nuk mund të kthehet shumë shpejt në fushë. Atë e ka përfshirë dëshpërimi gjë që është e kuptueshme. Sidoqoftë, ne po mundohemi që të bëjmë gjithçka të mundur, por të pamundurën nuk mund ta bësh të mundur”, deklaroi fizioterapisti i Liverpulit, Ruben Pons.
Është pothuajse e sigurt se Mo Salahu nuk do të mund të luajë në ndeshjen e parë të grupit të Botërorit mes Egjiptit dhe Uruguait, por shpresohet se ai do të jetë i aftë që të luajë në ndeshjen e tretë kundër Arabisë Saudite.
Sfidanti.al