Cështja Nejmar merr tjetër kthesë; denoncimi fillestar, për agresion

Cështjes Nejmar i shtohet një kapitull i ri që duket se e ndryshon tërësisht dinamiken e ngjarjeve. Studioja ligjore që u mor fillimisht me akuzën e një vajze për përdhunim nga ana e Nejmar, bëri të ditur se denoncimi fillestar i saj ishte për agresion dhe jo për dhunë seksuale. Në deponimin e saj, paditësja e Nejmar kishte bërë të ditur se marrëdhënia seksuale me Nejmar ishte konsensuale, por futbollisti gjatë aktit u bë i dhunshëm. Një prej avokatëve të kësaj studioje ligjore që më pas hoqi dorë nga kjo cështje tha në një intervistë për ‘Jornal Nacional’ se gjithcka ishte e lidhur me një divergjencë në linjën ligjore për të ndjekur dhe nga disa kontradikta të shfaqura në versionin e fakteve të viktimës së supozuar.

Sipas këtij avokati, Nejmar e minimizoi këtë ngjarje që shkaktoi edhe një përkeqësim të situatës dhe ndryshimin e madh të skenarit. Mësohet se në 31 maj, paditësja e Nejmar pajtoi avokatë të tjerë duke e kthyer akuzën nga agresion në përdhunim. Kjo kthesë në këtë histori të Nejmar mund të bëjë që paditësja e sulmuesit të Paris Sën Zhermen të akuzohet për padi të rreme. Përvec kësaj edhe raportet mjekësoret të cilat u publikuan orët e fundit nuk flisnin për dhunë seksuale, por për agresion. Ndërkaq në këtë cështje ndërhyn edhe motra e Nejmar, Rafaela që del në mbrojtje të futbollistit nga këto akuza duke thënë fjalën e saj nëpërmjet një postimi në Instagram

‘Nuk kam përdorur kurrë rrjetet sociale për të shprehur mendimin tim, zakonisht lë heshtjen që të flasë për mua-shkruante Rafaela duke iu drejtuar edhe paditëses-por këtë radhë situata është ndryshe. familja ime është në vështirësi. nuk do të mund të kuptoj kurrë se përse një person mund të bëjë dicka të tillë. është dicka shume serioze dhe ka shumë femra që vuajnë për dhunë të këtij lloji. Shpresoj që ti të flesh e qetë natën dhe ta kesh ndërgjegjen të qetë. Nuk të uroj më të keqen, nuk ta uroj të njëjtën gjë. Shpresoj që Zoti të të falë dhe ti të gjesh sadopak paqe për gjithcka ke bërë. vëllai im është një ndër personat që më mbron më shumë në botë dhe cdokush që ka një vëlla e kupton këtë. Është e tmerrshme’.

sfidanti.al