Tifozët e Bajernit kundër miliarderit Hop, një mbrojtje e traditës së Bundesligës!

Kurt hemi futbolli gjerman, duhet të kuptojmë se ai është i veçantë nga thuajse gjithçka tjetër. Tradita e do që tifozët të kenë fjalën vendimtare në drejtimin e klubeve, duke pasur shumicën e aksioneve, e duke i quajtur si shtëpinë e tyre. Një mrekulli që sjell stadiume gjithnjë plot, çmime relativisht të lira të biletave, dhe një armiqësi instinktive ndaj miliarderëve si ata që kanë blerë klube në Angli apo Francë. Vetëm duke ditur këtë, mund të kuptosh sado pak protestën e ashpër, deri edhe ofenduese të tifozëve të Bajernit, kundër presidentit të Hofenhajmit, Ditmar Hop.

Sipërmarrësi 79-vjeçar është një biznesmen mjaft i suksesshëm, themelues i kompanive të programeve kompjuterike, dhe dashuria e tij për Hofenhajmin bëri që ai të financonte ekipin, duke e ngjitur nga kategoria e pestë në Bundesligë në fare pak vjet. Plot 70 për qind të pasurisë ai e ka vënë në dispozicion të bamirësive, por sërish tifozët nuhasin një shkelje të traditës në veprimet e biznesmenit.

Kudo në Gjermani, përkrahësit zotërojnë 51 për qind të aksioneve në klube, diçka që nuk lejon një Abramoviç, një Al Helaifi apo Glejzër, dhe tifozët bavarezë e quajnë Hopin si një prej këtyre miliarderëve që duan të zotërojnë gjithçka, pasi jo më kot ai ka 96 për qind të aksioneve të Hofenhajmit.

Shefi ekzekutiv i Bajernit, Rumenige, i doli kundër tifozëve të tij, dhe i qendroi hapur në krah presidentit të klubit vendas. Po ashtu trajneri Hansi Flik sulmoi mbështetësit bavarezë, duke përdorur një shprehje tepër të ndjeshme e që shkakton zemërim, “Hop i siguron punë familjeve tuaja”.

Gjithsesi, përkrahësit e Bajernit nuk janë të vetmit në Gjermani që protestojnë ndaj Hopit apo të tjerëvë si ai. Tifozët e Dortmundit gjithashtu kanë protestuar ashpër në stadium ndaj bosit të Hofenhajmit, duke e quajtur fajtor për shkatërrim të traditës. Me të njëjtën logjikë, tifozët e Dortmundit kanë organizuar manifestime proteste ndaj kompanisë austriake Red Bull, e cila zotëron aksionet e klubit të Lajpcigut, një tjetër shembull sesi po ndryshon realiteti në Bundesligë.

Vetë drejtuesit bavarezë e kanë ndjerë forcën e tifozvëe të tyre, aq sa ish-presidenti Uli Hënes u sulmua ashpër në Asamble, nga anëtarë të ndryshëm të klubit. Shefi ekzekutiv, Rumenige, ka bërë thirrje për hapje të klubeve ndaj investitorëve, si diçka që do të ndihmojë Bajernin në Champions, por deri tani tifozët vazhdojnë të rezistojnë.

Sfidanti.al