Parashikimi ishte për vazhdimin e marshimit, edhe pse luhej jashtë fushe. Lejkërsat duhej t’ia dilnin në Arenën e Memfisit, një ekipi që ende është në zonën e plej ofit, por që kishte humbur 5 ndeshje radhazi në NBA. Ndodhi e kundërta, dhe Lebron Xhejmsi me shokë morën një leksion sesi mund të thyhesh nga një kundërshtar më i dobët, por më i vendosur për t’i thënë “mjaft” disfatave, e për të ruajtur një vend në plej of.
Memfisi triumfoi bindshëm 105-88, duke i lënë Lejkërsat në një nivel shumë të ulët shënimi të pikëve. As edhe yjet kryesorë nuk e shmangën këtë fat të keq, madje ata mund të quhen “fajtorët” kryesorë. Xhejmsi shënoi vetëm 19 pikë, pak për standardin e tij, edhe pse shtoi 8 topa në tabela e 10 asistë, si dhe 1 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Ai gaboi shumë në gjuajtjet për 3 pikë. Entoni Dejvis pati vetëm 15 pikë, 9 topa në tabela e 4 asistë, ndërsa dobët ishin edhe të tjerët, si Kuzma, Kalduell-Poup apo Hauard.
Xha Morant shkëlqeu për Memfisin me 27 pikë, 6 topa në tabela e 14 asistë, por shumë mirë ishin edhe Dilon Bruks me 24 pikë dhe lituanezi Jonas Valanciunas me 22 pikë e 20 topa në tabela. Lejkërsat mbeten në vend të parë në Konferencën Perëndimore me 45 fitore e 13 humbje, ndonëse kryesimi i rrezikohet pak nga Denveri apo Klipersat. Memfisi, ndërkaq, është në vend të 8-të po në Perëndim me 29 fitore e 31 humbje.