Të hënën nis misioni “Champions”, Bajerni synon “qershinë mbi tortë!

Për momentin nuk duan ta kenë mendjen aty. Futbollistët e Bajernit janë me pushime, të shpërndarë nëpër plazhet dhe malësitë e Europës, me një synim të vetëm, të harrojnë e të shlodhen, por në Mynih nuk kanë ndërmend ta shkëpusin prizën kaq shpejt. Edhe pse në kompleksin stërvitor të klubit, në “Zebener Shtrase”, për momentin ndodhen vetëm dy lojtarë, i dëmtuari Niklas Zyle, dhe i sapoardhuri Leroi Sane, planet janë për gushtin.

Sezoni 2019-2020, ai që rrezikohej të shkatërrohej fillimisht nga problemet e brendshme, e pastaj nga koronavirusi, doli i mrekullueshëm, veçse tortës i mungon qershia mbi te. Pas fitores së Bundesligës, dhe të Kupës së Gjermanisë, gjigandët bavarezë duan edhe trofeun tjetër të madh, Ligën e Kampionëve. Për një klub kaq të madh duket pak si ofenduese që trofeu i fundit të jetë fituar shtatë vjet më parë, në 2013, dhe që Europa po dominohet nga Reali apo Barcelona, si dhe nga klubet angleze.

Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, ka planifikuar me hollësitë më të vogla, së bashku me trajnerin Hansi Flik, sesi do të përgatitet skuadra për të shkuar në formë të plotë në 8 gusht, në ndeshjen e kthimit të turit të dytë ndaj Çelsit. Futbollistët do të thirren në Mynih që të hënën, me pushimet që do të përfundojnë me shpresë deri në 23 gusht, kur është planifikuar finalja e Championsit.

Detyra nuk pritet e lehtë, edhe pse londinezët janë mundur 3-0 në Angli në duelin eparë, por në çerekfinale do të jetë përballë Barcelona ose Napoli. Në gjysmëfinale, pastaj do të ishte bomba, pra Mançester Siti, ose Reali i Madridit, ose Juventusi, apo ndoshta edhe Lioni. Sido që të jetë puna, tek Bajerni mendojnë se ky është viti i duhur, pasi i tillë ishte frymëzimi dhe e tillë forma në Gjermani. Me një ekip që shënoi 100 gola në Bundesligë, po aq sa skuadra e madhe e Mylerit, Maierit e Bekenbauerit, dhe me Hansi Flikun që po krahsohet me Jup Hajnkesin, gjithçka mund të ndodhë.

Sfidanti.al