Duhej të kishte qenë vazhdimi i një epoke të madhe. Reali i Madridit sapo kishte fituar Ligën e 13-të të kampionëve në histori, pas finales tashmë të famshme ndaj Liverpulit, dhe trajneri Zinedin Zidan mendohej si një Migel Munjoz modern. Tifozët ishin të sigurt, të lumtur, por papritur si rrufe në qiell të pastër, erdhi një lajm. Zidan jep dorëheqjen tek presidenti Florentino Perez, dhe të dy e shpallin vendimin në një konferencë për shtyp, thuajse funebre, e kundërta me atë të prezantimin e francezit, kur Perezi tha se “për Zinedin Zidanin fjala “e pamundur” nuk ekziston”.
Klubi më i madh i botës e përcolli me një falenderim të madh, por gjithkush e dinte se pritej ndonjë kataklizmo. Sezoni pasardhës pa Zizunë ishte vërtet një dështim, që kulmoi me eleminimin e turpshëm nga Championsi prej golave të një Ajaksi riosh, ndërsa trajnerët Lopetegi e Solari nuk u ngjitën në lartësinë e detyrës. Për fatin e madh të tifozëve, presidenti Perez arriti ta bindë Zidanin dhe në 11 mars ai u kthye në “Santiago Bernabeu”. Ndërsa Reali ishte 13 pikë prapa Barcelonës, trajneri mblodhi lojtarët dhe u foli.
“Ndodhi çfarë ndodhi këtë vit, sezonin e ardhshëm ne duhet të luftojmë për titullin nga fillimi deri në fund, – ishin fjalët e tij, – nuk mund të premtojmë që do të dalim kampionë, por nuk mund të jemi 13 pikë prapa Barcelonës. Pres që të jeni në lartësinë e detyrës”.
Jo gjithkush pati besim, madje kritikat nuk munguan nga faza përgatitore, me humbjen e rëndë nga Atletiko, 3-7, nga dështimi për të larguar Garet Bejlin apo Hames Rodrigezin, si dhe nga problemet me blerjet. Askush nuk po e zëvendësonte dot Kristiano Ronaldon, as vetë Eden Hazar, i cili shpesh herë ishte i dëmtuar. Gjithsesi, puna e Zidanit, cilësia e skuadrës dhe emri i madh i klubit bënë të vetën, ndihmuar edhe nga kriza e Barcelonës.
Nëse katalanasit bënë vetëvrasje me problemet e brendshme, Reali krijoi ekipin. Me 10 fitore radhazi, pas rifillimit të kampionatit pas pandemisë, madrilenët u shpallën kampionë për herë të 34-ët radhazi.
“Jam shumë i lumtur, – u shpreh Zidan, – kjo është lumturia më e madhe, të fitosh titullin kampion. Jam kënaqur më shumë sesa kur fituam tre Champions radhazi, dhe jam i bindur se do të vazhdojmë në këtë rrugë. Merita është e lojtarëve”.
Tifozët janë në festë, dhe me të drejtë, pasi ekipi i tyre fitoi titullin e dytë që nga 2017-ta. Duket se një epokë e re po nis, dhe se epoka e Lionel Mesit dhe e Barcelonës po merr fund.
Sfidanti.al