Rumenige tregon sesi shpëtoi Bajerni vjet nga “shpërthimi”

Dita më e vështirë e krejt sezonit të kaluar në Mynih ishte ajo e barazimit 3-3 në “Alianc Arena” ndaj Fortunës së Dyseldorfit. Kampionët po kryesonin 3-1 në duelin e Bundesligës, por miqtë reaguan dhe realizuan dy gola deri në fund, duke e lënë të tronditur publikun në stadium, po ashtu edhe presidentin Uli Hënes përpara mediave.

Ishte një rrezik i madh për “shpërthim”, pasi gjakrat ishin të nxehta brenda skuadrës dhe brenda klubit, dhe Karl-Hajnc Rumenige tregon sot se në çfarë mënyre u shmang më e keqja. “Ne ishim me nerva, por vendosëm që të mos flisnim fare për dy ditë, – tha ai, – ishte e shtunë, dhe ne lamë takim të hënën për të diskutuar. Deri të hënën ne ishim më të qetë dhe mendoj se morëm vendimet e duhura”.

Trajneri Niko Kovaç nuk u shkarkua, nuk pati kritika ndaj skuadrës, por vetëm nxitje për të reaguar, “për rezultat më të mirë, dhe lojë më të mirë”. Bajerni arriti të mbahej në këmbë, dhe në fazën e dytë e fitoi titullin e 7-të kampion radhazi, një rekord për Bundesligën.

Sfidanti.al