Rumenige sheh Bajernin ta kalojë “tavanin” e 100 milionëve!

Kur thua futboll gjerman, do të thotë dorë e shtrënguar për shpenzimet, siç janë në përgjithësi gjermanët. Jo më kot ekziston barcaleta se “skocezët (që janë vetë kurnacë) janë shvabë të përzënë nga vendi i tyre, si tepër dorëshpuar”. Shvabët janë banorët e krahinës rrotull Shtutgartit, pra kuptohet mirë se çfarë marrëdhënieje kanë gjermanët me lekun.

Gjithsesi, edhe një “nikoqir” si Karl-Hajnc Rumenige është i detyruar t’i hapë rrugën tendencave të kohës, madje edhe t’i ndjekë pas. “Besoj se mund ta kalojmë nivelin e 100 milionë eurove gjatë verës për të forcuar skuadrën, – tha ai në intervistën për gazetën “Tages Cajtung”, – nuk është se kemi ndonjë interes të vendosim rekord, por tregu i futbollit nuk është vetëm për Bajernin, por për të gjithë futbollin. Gjithsesi, më shumë sesa këto shpenzime, mua më shqetësojnë rritjet e rrogave”.

Për ta përballuar, Bajerni duhet të ketë gjithnjë lojtarë të rinj që të hyjnë në ekipin e parë si Alfonso Dejvis apo Xhoshua Zirkze, pa harruar Gnabrinë, Tolisonë, Kimihun, Goreckën. Jo vetëm kaq, por i mbiquajturi “Kalle” thotë se Bundesliga duhet të ulë moshën e lejuar për të luajtur lojtarët. Kur Dortmundi ka një 15-vjeçar si Mukoko, pse Bajerni të mos ketë 16-vjeçarë?!

Sfidanti.al