Bajerni i Mynihut e realizoi me sukses vizitën në Mainc dhe, duke e përmbysur rezultatin, arriti që ta fitojë ndeshjen 3-1 dhe të barazohet me pikë me ekipin befasues të kreut të klasifikimit të Bundesligës, Lajpcig. Autor i njërit nga tre golat të bavarezëve ishte veterani Arjen Roben që, gjithashtu, i dha një përgjigje interesante pyetjes lidhur me mundësinë e nënshkrimit të një kontrate të re me klubin e Bajernit që skadon në fund të këtij sezon. “Babai (agjent i Robenit) im është gati për bisedime, ai dëshiron që të pijë një kafe me zotin Rumenige. I kam parë edhe kushtet për kontratën e re.
Në fakt, nuk jemi larg. Ndoshta, gjithçka mund të rregullohet pas ndonjë bisede”, tha Robeni. Optimist është edhe vetë Rumenige. “Kam biseduar, tanimë, me të atin e Robenit që, në të njëjtën kohë, është edhe agjenti i tij. Mendoj se ne do ta vazhdojmë bisedën, mbas Krishtlindjeve, se ne do ta vazhdojmë kontratën, pasi edhe ne jemi të interesuar që ai të vazhdojë të luajë me neve edhe sezonin tjetër”, tha funksionari i lartë i Bajernit. Sa për kujtesë, para disa ditësh, qëndrimin e tij në Mynih e zgjati edhe veterani francez, Frank Riberi, që ndodhej në një situatë identike si Robeni.