Aleksis Sançez mund të presë. Bajerni i Mynihut nuk është nga ata klube që nxitohen, por as nga ata që rrinë pa punë. Me stilin tipik metodik gjerman, bavarezët bënë goditjen e parë në tregun e futbollit, duke afruar një lojtar që nuk pritej edhe aq. Bëhet fjalë për ish-mesfushorin e Arsenalit, Serzh Gnabri, që këtë sezon shkëlqeu tek Verderi i Bremenit.
Talenti 21-vjeçar bindi plotësisht duke shënuar 11 gola, edhe pse jo sulmues, dhe duke treguar se është plotësisht i përshtatut me mënyrën sesi luhet në Bundesligë. Gnabri është gjerman, edhe pse me origjinë “nga jashtë”. Bajerni e lidhi atë me një kontratë 3-vjeçare, ndërsa shifrat ishin tipike gjermane.
Fillimisht, Verderi e mori për 6 milionë euro, ndërsa tani klubi nga Mynihu shpenzoi rreth 10 milionë euro për t’ia marrë rivalëve nga Bremeni. Bavarezët vazhduan me politikën e tyre të afrimit në skuadër të talenteve kryesisht gjermanë, ndërsa Gnabri doli shënuesi më i mirë i turneut olimpik në Rio de Zhaneiro.
Sfidanti.al