Edhe Verrati ishte mangut në tregun e çmendur të futbollit!

Shifra 100 milionë u bë si dikur, nja 80 vjet më parë, kur gjermanët blinin bukën me një çantë me para. Këtë herë nuk blihet buka, por yjet e futbollit. Pas çmendurive që sa vinin e rriteshin të Ronaldos, Bejlit e Pogbasë, kjo verë duket se do të verë vulën me “karuselin” e përbërë nga Mbape, Beloti apo Lukaku. Tashmë, jo vetëm këta, pasi në këtë listë 100-milionëshe hyri edhe një yll tjetër.

Marko Verrati mund të kushtojë pikërisht kaq, pasi Barcelona dëshiron të përfundojë punë sa më shpejt me mesfushorin italian. Futbollisti 24-vjeçar ia ka bërë të ditur Paris SG se dëshiron të largohet, dhe ndonëse francezët duan ta mbajnë, dëshira e lojtarit mund të mbizotërojë.

Veçse, Verrati njihet si tifoz i Juventusit dhe katalanasit kanë frikë se mos e humbasin, ndaj edhe duan të mbyllin një marrëveshje sa më shpejt. Shifra 100 milionë euro mund të mjaftojë, ndërsa në garë besohet se janë edhe klubet angleze si Mançester Junajtid dhe Çelsi.

Sfidanti.al