Me shumë gjasë, ky ka qenë mendimi i tij, të paktën përsa i takon klubit bavarez. Uli Hënes lëshoi një sulm të ashpër dhe të papritur ndaj numrit 2 të Gjermanisë, Mark-Andre Ter Shtegen, duke marrë anën e Manuel Nojerin në duelin e deklaratave se kush meriton të jetë portieri titullar i kombëtares “teutone”.
“Mendoj se kjo është një shaka, – ishin fjalët e presidentit të Bajernit, – ai (Ter Shtegen) nuk ka të drejtë të luajë këtu (?!). Në portë është ndryshe në krahasim me pozicionet e tjerë në fushë. Manuel Nojeri është numri 1 dhe ka qenë portieri më i mirë në botë për shumë vjet. Askush nuk mund të japë argumente bindëse se ai (Ter Shtegen) meriton të jetë numri 1”.
Se cili do të jetë zgjedhje e parë e portës së Gjermanisë e cakton trajneri Joakim Lëv, të cilit me siguri nuk i ka pëlqyer ky debat që krijon acarim në kombëtare. Pak kohë më parë, vetë Lëv pati konflikt me Bajernin kur deklaroi se nuk do të merrte në kombëtare lojtarë të tillë si Tomas Myler, Zherom Boateng e Mats Humels. Hënes u ndje keq edhe në atë kohë, dhe sërish mbrojti klubin, Bajernin, përpara ekipit kombëtar.
Sfidanti.al