Mançester Junajtid hyn në Ligën e Europës, nga Solskjer kërkohet triumf!

Gjëja e parë që kujtoi ky klub ishte madhështia e tij. Meqë jemi në prag të ndeshjes së parë të vitit në Ligën e Europës, Mançester Junajtidi u freskoi kujtesën të gjithëve me videon e fitores së trofeut të kësaj kupe dy vjet më parë. Atëherë, nën drejtimin e Zhoze Murinjos, “djajtë e kuq” mundën 2-0 Ajaksin dhe u mendua se do të niste një epokë e re, por ndodhi ndryshe.

Largimi i portugezit dhe afrimi i trajnerit të ri, Ole Gunar Solskjer, po ashtu nuk kanë sjellë lavdinë e shpresuar, pavarësisht fitores fundjavën e kaluar në Premier Ligë ndaj Leisterit. Solskjer, gjithsesi, duket thellësisht i bindur se do të triumfojë, ndërsa përgatit skuadrën për ndeshjen ndaj Astanës së Kazakistanit.

Nuk ka rëndësi sfida në vetvete, ndonëse në Europë është gabim të nënvleftësosh cilindo kundërshtar. Po ashtu, nuk pritet të prishin punë mungesat si Ljuk Shou, Erik Bejli apo Daniel Xhejms, dhe Pogba, Marsial e Dalo që janë në dyshim. Junajtidi duhet të nisë të luajë sërish si skuadër e madhe, për t’iu afruar nivelit të Mançester Sitit apo Liverpulit.

“Jam i sigurt se skuadra do të kthehet aty ku ka qenë në kohën e Fergusonit, – u shpreh Solskjeri, – ky është një proces për krijimin e një ekipi të madh. Unë dua të mbështetem tek të rinjtë dhe t’u jap kohën e duhur. Edhe sot, do të hedh në formacion mjaft lojtarë të rinj”.

Gjithsesi, Junajtid nuk është i qetë për shkak të çështjeve jashtë fushe. Nënshkrimi i kontratës së re nga David De Gea apo Viktor Lindelof ishin hapa të mëdhenj përpara, por e paqartë mbetet e ardhmja e Pol Pogbasë.

Gazetat njoftojnë se klubi po përpiqet të bindë francezin për të qendruar, ndërsa ish-legjenda e “djajve të kuq”, Pol Skoulls, thotë se edhe nëse kampioni i botës largohet, kjo nuk do të ndihet shumë në “Old Traford”. Gjithsesi, e vërteta është se në futbollin e nivelit të lartë nuk mund të fitosh pa yje të mëdhenj. Pasi dha 90 milionë euro për mbrojtësin Harri Megajer, Junajtid duhet të shpenzojë përsëri.

Sfidanti.al