Një skuadër e tillë, sidomos vitet e fundit, nuk është mësuar të jetë e dyta. Bajerni i Mynihut që nga koha e Otmar Hitcfeldit (pa u shtyrë më prapa) ka qenë gjithnjë në krye ose për fare pak kohë, i dyti. Gjithsesi, këtë herë u desh të priste vërtet gjatë, plot 161 ditë, që do të thotë 4 muaj, pasi rivali është i fortë. Borusia e Dortmundit, gjithashtu fitoi, dhe mbeti me pikë të barabarta me bavarezët, që do të thotë se gara për titull do të vazhdojë.
Gjithsesi, ishte një lajm i mirë në kohën e duhur, pasi mesjavën e ardhshme, Bajerni pret Liverpulin në Champions dhe i duhet moral i lartë, përveçse formë e mirë. Me ato që i ndodhën Realit e Paris SG, u kuptua sesa pak rëndësi ka një rezultat i mirë në ndeshjen e parë jashtë fushe.
Trajneri Kovaç u kënaq që të gjithë lojtarët luajtën mirë, madje pati pyetje për të nëse Boateng apo Myler luajtën aq mirë si reagim për përjashtimin nga kombëtarja. “Nuk mendoj kështu, – ishte përgjigja e kroatit, – Boatengu dhe Myleri luajtën shumë mirë edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Gladbahut”.
Sfidanti.al