Interi ka ende jetë pa Ikardin, por sa e vështirë fitorja me Spalin!

Në fushë po hyn pa pasur lojtarët që garanton golat. Shumë e vështirë këto kohë për Interin e trajnerit Luçiano Spaleti, i cili gjithsesi po përpiqet edhe në mungesë të ish-kapitenit Mauro Ikardi. Një provë me vuajtje ndaj Spalit në ndeshjen e radhës në Serinë A, ndërsa golat erdhën vetëm në 25 minutat e fundit.

Zikaltërit sërish u dukën të goditur pa sulmuesin e tyre kryesor, duke bërë gabime të shumta, e duke qenë tepër të dobët në pjesën e parë. Spaleti, edhe pse mendohet se nuk po e përballon dot presionin, i foli skuadrës në pushim dhe të paktën fitorja u arrit me rrjetat e shënuara nga Politano në minutën e 67-të dhe Galiardini në të 77-ën.

Kjo do të thotë mbajtje të paktën të vendit të katërt, që të kualifikon për në Champions, duke pasur 50 pikë, vetëm 1 më pak se Milani i vendit të tretë. Gjithsesi, konkurrenca për Ligën e Kampionëve pritet të jetë e ashpër deri në fund, pasi edhe skuadrat e tjera nuk kanë hequr dorë.

Atalanta dhe Torino fituan që të dyja, duke pasur 44 pikë, vetëm 6 pikë më pak se milanezët. Atalanta ia doli 2-1 në fushën e Sampdorias, një sukses i rëndësishëm, në një ndeshje ku portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ishte në stol. Po 2-1 ishte edhe fitorja e Torinos, arritur në stadiumin e Frozinones. Edhe pse vendasit kaluan të parët në avantazh, sulmuesi kryesor i miqve, Andrea Beloti, realizoi dy gola për përmbysjen.

Sfidanti.al