Mediuimet franceze shkruajnë se ndeshja mes PSZH-së dhe Mançesterit Junajtidit në Paris pati edhe “pjesën e tretë”, pasi u krijua një tension i madh në lozhën VIP të “Parkut të princave”. Moment kyç i kësaj ndeshjeje që përfundoi 1-3 në favor të Junajtidit që u kualifikua për në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, ishte minuta e 4-t e shtesës, kur gjyqtari slloven Damir Skomina tregoi pikën e bardhë, pasi futbollisti i PSZH-së, Presnel Kimpembe, e preku topin me dorë brenda zonës së rreptësisë.
Ky detaj e zemëroi shumë Nejmarin që nuk luante për shkak të dëmtimit dhe i cili u bë gati “të lante hesapet” me gjyqtarët, madje ai arriti të shkonte deri pranë arbitrave, por atje u pengua nga njerëzit e PSZH-së që parandaluan skandalin.
Mediumi RMC shkruan se për pak ndodhi edhe një përplasje fizike mes legjendës së “djajve të kuq”, Erik Kantona, dhe të atit të Nejmarit. Mbas golit që shënoi me penallti Markus Rashford, Kantona u gëzua pa masë, duke e festuar golin me zhurmë dhe duke bërë gjeste të qarta në adresë të lozhës VIP, ku ndodheshin i ati i Nejmarit dhe miqtë e tij. Nejmari i madh u nxeh shumë dhe u nis drejt Kantonas, por për fat njerëzit e sigurisë reaguan në kohë dhe e penguan skandalin.
Sfidanti.al