Përse përfundoi magjia e Flikut, Tomas Myleri e ka një shpjegim!

Bajerni nuk mundi të arrinte fitoren e pestë radhazi në Bundesligë, dhe humbja ishte një zhgënjim dhe një zgjim. Ndoshta po shihej ndonjë ëndërr më e bukur sesa realiteti, me të ardhmen e shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit të ri dhe papërvojë, Hansi Flik, diçka që do ta tregojë vetëm koha. Ndaj Leverkusenit, në “Alianc Arena” përfundoi 1-2, dhe 75 000 spektatorët (shumica dërrmuese, vendase) dolën nga stadiumi me kokën ulur.

Duhej të kishte qenë ditë feste, pasi Tomas Myler gjeti golin e parë në Bundesligë që nga marsi, por ndodhi e kundërta. Dakord, kampionët humbën disa raste, dhe portieri mik Hradecki, shpëtoi portën nga Levandovski e Myleri. Sidoqoftë, problemi tjetër i madh i Bajernit ishte mbrojtja, pasi u pësuan dy gola. “Leverkuseni ishte shumë i shpejtë në sulm, – pohoi Tomas Myleri, – ndërsa ne nuk ishim efektivë, sidomos në sulm. Gjithsesi, në pjesën e dytë ne nuk patëm fat, dhe në futboll të duhet fati, edhe kur quhesh Bajern”.

Leon Gorecka dhe Levandovski goditën shtyllat e Hradeckit, por Leverkuseni mori tri pikët. Në renditje, Bajerni është i katërti me 24 pikë, një më shumë se Dortmundi që fitoi 2-1 në Berlin ndaj Hertës. Lajpcigu ka 27 pikë, Borusia Mynshengladbah dhe Shalke kanë nga 25, por Gladbahu nuk e ka luajtur ende ndeshjen e vet.

Sfidanti.al