Jo më kot quhet “Muri i Verdhë”. Bëhet fjalë për tribunën historike të tifozëve në stadiumin “Signal Iduna Park”, që dikur mbante emrin krenar “Vestfalen Shtadion”. Në ndeshjen ndaj Leverkusenit ishin plot 81 026 përkrahës që kishin blerë një biletë (një pjesë janë të abonuar), dhe shumica dërrmuese e tyre ishin dortmundas.
Skuadra vendase e la sërish prapa Bajernin duke u ngjitur e vetme në krye të Bundesligës, dhe tifozët kanë besim se titulli mund të fitohet për herë të parë që nga viti 2012. “Muri i Verdhë” e mbështeti fort skuadrën që pati një duel të vështirë me Leverkusenin, ndërsa mungonte kapiteni Marko Rojs.
Fitorja ishte 3-2 me gola të shënuar nga Zagagu, Sanço dhe Gëce për vendasit, si dhe nga Foland e Tah për miqtë. Dortmundi ka tani 54 pikë ndaj 51 të Bajernit, me golaverazh pozitiv, +32 ndaj +25 të kampionëve.
Gjithsesi, ishte një nga ato ndeshje që nuk i kënaq plotësisht ata që fitojnë. Leverkuseni u tregua shumë më tepër skuadër sesa Borusia, e cila ende po vuan nga dëmtimet, nga ngarkesa e madhe e sezonit si dhe nga mosha e re. Miqtë patën epërsi në lojë, me 67 për qind të mbajtjes së topit, dhe kjo nuk duhet ta ketë kënaqur shumë “Murin e Verdhë”.
Sfidanti.al