Duhet të ketë ndodhur ndonjë gjë në futbollin shqiptar, që parashikimet për të janë kaq të lehta, por që ndëshkimi është kaq i vështirë. Vitin e kaluar, kryebashkiaku i Kamzës, Mziu, “i ra në kokë” disa ndeshjeve të Superligës, duke nënkuptuar se rezultati zgjidhej përpara sesa skuadrat të hynin në fushë.
Këtë edicion, është ish-trajneri i Tiranës dhe Dinamos, dhe ish-ylli i kombëtares dhe Tiranës, Shkëlqim Muça, që rëndom parashikon saktë javë pas jave. Muça ka gjetur në vazhdimësi humbjet e Skënderbeut, që ngjajnë si dy pika uji me ato të Dinamos që doli kampion, kur ai ishte trajner.
Ftesat janë të hapura për të kuptuar sesi luhet Superliga jonë, dhe jo vetëm ajo, e që të kujtojnë parashikimet e Luçiano Moxhit për caktimin e arbitrave në ndeshjet e Serisë A. i pyetur në gjyq, më pas, Moxhi u përgjigj si i pafajshëm se “isha i zoti në parashikime”.
Në Shqipëri nuk ka gjyqe, nuk ka letra të firmosura dhe si rrjedhojë ka pak tifozë në stadiume e shumë dyshime. Të këqijat e sistemit dalin hapur nëpër tavolina kafenesh, madje edhe në studiot televizive, por njëkohësisht, si me magji, fshihen nga organet që duhet t’i marrin në shqyrtim.
Sfidanti.al