Është thuajse e sigurt se do të largohet këtë verë, apo ndoshta edhe në vjeshtë. Shtatë viteve “bujtje” të Tiago Alkantarës tek Bajerni mesa duket i erdhi fundi, dhe mesfushori katalanas do të shkojë në një “shtëpi” të re. Do të kalojë tek Liverpuli i Klopit, apo do të kthehet tek Barcelona e tij? Kjo mbetet të shihet, por Karl-Hajnc Rumenige, shefi ekzekutiv bavarez bën të qartë vetëm diçka: “Ne nuk duam që ai të largohet në 2021, me parametër zero, duam që të largohet këtë vit, nëse dëshiron një gjë të tillë”.
Rumenige vetë sqaron se dëshira e Tiagos është që të ikë, pasi Bajerni nuk e bindi dot për rinovim, ndonëse “ia plotësuam të gjitha dëshirat”. Shefi nga Mynihu pohon se Alkantara është i shkëlqyer në fushë e jashtë saj, ndërsa luajti shumë mirë edhe me Niko Kovaçin, por edhe me Hansi Flikun. Reporteri Fabricio Romano, i njohur për informacionin e tij, thotë se Tiago Alkantara mund të shkojë në “Anfild”. Gjithsesi, Barcelona ka një klauzolë në kontratën e 29-vjeçarit, që mund ta marrë për rreth 25 milionë euro.
Sfidanti.al