U desh një intervistë e zgjeruar dhe ekskluzive që Robert Levandovski të hapte zemrën. Siç ndodh shpesh, ishte revista “Sport Bild” që pati aftësinë të depërtonte deri në mendimet më të fshehura të sulmuesit polak.
“Në prill dhe maj, thuajse gjithkush më sulmoi, – u shpreh “Leva”, – dhe nuk ndjeva mbrojtje nga klubi. U ndjeva vetëm. Nuk shënova gola në dy apo tri ndeshje të rëndësishme dhe kushdo nisi të akuzonte Levandovskin. Nuk pashë askënd krah meje në ato momente, as drejtuesit e Bajernit nuk më mbrojtën”.
Ishte, pra, një çast tepër i vështirë dhe, siç bëjnë shpesh futbollistët, edhe Levandovski porositi agjentin e tij, Pini Zahavin, që t’i gjente një ekip tjetër. Ky ekip nuk mund të ishte tjetër përveçse, Reali, i cili e kërkonte prej kohësh, por asgjë nuk ndodhi.
Veçse tani, duket se gjendja ka ndryshuar. “Unë jam sërish tek Bajerni me zemër, – thotë ai, – dhe e shikoj se tifozët janë me mua. Unë bashkëpunoj me Zahavin, por kjo nuk do të thotë se duhet të largohem”. Duket se, të paktën këtë sezon, Levandovski do të vazhdojë me gjithë zemër të luftojë për Bajernin, siç e tregoi me 4 gola në dy ndeshjet e para të sezonit.
Sfidanti.al