Levandovski, iku koha për “martesë të dytë”, mbaj fort Bajernin

Bajerni i Mynihut dhe Robert Levandovski janë në bisedime dhe kontrata do të rinovohet. E shkruan në Tuiter i mirëinformuari Kristian Falk, e thotë “Skaj Sporti”, i bëjnë jehonë edhe mediat gjermane. Kontrata e tanishme e sulmuesit polak vlen deri në 2021, ndërsa pati zëra se ai mund të shkonte tek Mançester Junajtidi apo Paris SG.

Duket se dëshira e zjarrtë e Levës për të shkuar tek Reali, siç u fol për nja dy sezone radhazi, tashmë është ftohur. Me kalimin e moshës (në gusht mbush 31 vjeç) ikën edhe kulmi i formës, ndërsa në Madrid duket se janë të dashuruar me Nejmarin ose Mbapenë.

Trajneri Niko Kovaç, që largoi disa “grindavecë” (si Humelsin), padyshim që e ka dashur “bomberin” e tij. Levandovski ka shënuar 191 gola në 242 ndeshje zyrtare në Mynih, me një mesatare të lakmueshme, që mund ta kalojë vetëm një Gerd Myler.

Ai ka 202 gola në Bundesligë, duke qenë shënuesi më i mirë ndër të huajt në historinë e kampionatit. Polaku i ka mundësitë të kalojë dy legjenda si Manfred Burgsmylerin (213 gola) dhe Jup Hajnkesin (220), për t’u bërë shënuesi i tretë më i mirë i Bundesligës për të gjitha kohët.

Rroga e tij është e lartë, 15 milionë euro në sezon, por gjithsesi e justifikuar për tregun e sotëm të futbollit, dhe për vlerën që Levandovski ka për Bajernin prej vitesh, që kur mbërriti nga Dortmundi në 2014. Polaku është një nga sulmuesit e paktë që ka rreth 430 gola për klubet dhe kombëtaren (57 në 106 ndeshje me Poloninë).

Sfidanti.al