Bellingham qëndron te Reali

Jude Bellingham ka vendosur të vazhdojë aventurën te Real Madridi, duke refuzuar interesimin e tri klubeve të mëdha angleze.

Sipas mediumit Fichajes, mesfushori anglez ka zgjedhur të qëndrojë në Spanjë, pavarësisht interesimit nga Chelsea, Liverpooli dhe Manchester City. Të tri klubet e Premierligës e kanë parë Bellinghamin si një përforcim të rëndësishëm për skuadrat e tyre, me synimin për ta rikthyer reprezentuesin anglez në futbollin vendës. Megjithatë, 23-vjeçari duket se nuk e ka ndërmend të largohet nga kryeqyteti spanjoll dhe është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re me “Los Blancos”.

Bellingham iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2023 nga Borussia Dortmundi dhe që nga atëherë është shndërruar në një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës madrilene. Vendimi i tij, nëse konfirmohet, do t’ua mbyllte derën Chelsea, Liverpoolit dhe Manchester Cityt, të cilat shpresonin ta bindnin të rikthehej në Angli.