Ai thjesht ngriti pa perden, por pa e zbuluar misterin. Zhozep Bartomeu, me privilegjin e njeriut të informuar (jo më kot është president i Barcelonës), nxorri nga goja një shprehje plot hije. “Unë e di se ku do të shkojë De Ligti, – tha bosi katalanas, – e kam ditur për një kohë të gjatë, dhe e di ende, por nuk mund të them gjë tjetër”.
Kjo do të thotë se, ose Bartomeu e ka ditur prej muajsh, që kapiteni i Ajaksit do të shkonte tek Juventusi, ose e ka ditur që ai do të vinte dhe do të vijë tek Barcelona. Nuk ka shpjegim tjetër për fjalët e tij, të paktën duke u bazuar tek ajo që po ndodh. Hipoteza e parë mund të quhet më afër të vërtetës, pasi lajmet janë që qendërmbrojtësi 19-vjeçar ka arritur akordin personal me “Zonjën e Vjetër”, ndihmuar edhe nga agjenti i tij italian, Mino Raiola.
Gjithsesi, spekullimet nuk mund të mos shtohen për një lëvizje të papritur, “rrufe në qiell të kthjellët”, me De Ligtin që mund të prezantohet në “Kamp Nou”, pak ditë pasi këtë e bëri patrioti i tij, dhe shoku i tij tek Ajaksi dhe Holanda, Frenki De Jong.
Sfidanti.al