Nuk është pak të jesh rekordmen i ndeshjeve të klubit, si dhe të kesh luajtur në kombëtare. Diter Burdenski është një emër i madh i Verderit, një ish-portier që luajti 479 ndeshje Bundeslige për bardhëjeshilët, ndërsa sot ai e ka një fjalë për trajnerin Florian Kofeld (Kohfeld). “Nuk e kuptoj atë që po bën me Rashicën, – shprehet 69-vjeçari, – nëse një punonjës i kompanisë sime dëshiron të largohet, dhe largimi nuk realizohet, unë nuk mund ta largoj një javë nga skuadra, si një lloj hakmarrjeje. Transferimi i Rashicës tek Leverkuseni u braktis në sekondën e fundit, e po pastaj?” Rashica ka qenë jashtë ekipi për Verderin në këtë fillim kampionati, dhe kjo i kushtoi edhe që të mos ishte në ndeshjen vendimtare të Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të plej ofit të Ligës së Kombeve.
Sfidanti.al