Gjatë pranverës së kaluar, presidenti i Bajernit ishte një biznesmen dhe një drejtues plot me besim dhe siguri në vetvete. “Ne nuk kemi nevojë të shkojmë të kërkojmë hua në bankë, si disa klube të tjerë të mëdhenj të kontinentit, – tha ai, – por, mjaftojmë të marrim paratë që kemi në llogarinë tonë për të bërë përforcimet që duam”. Kanë kaluar disa muaj dhe po afron 2 shtatori, fundi i afatit të transferimeve, dhe deri tani bavarezët kanë sjellë në “port” vetëm dy kampionë të vërtetë, Pavarin dhe Lukas Hernandezin, që të dy në mbrojtje. Kutinjo mund të vijë, por si huazim.
Kritikat kanë qenë të shumta për drejtuesit, dhe Hënesi sot është i detyruar të vendosë “disk” apo “usb” tjetër. “Ne e nisim sezonin me një deficit prej 200 milionë eurosh në krahasim, le të themi, me Mançester Junajtidin, – u shpreh ai, në një intervistë për gazetën e biznesit, “Euro të dielën” (Euro am Sonntag), – Bundesliga ka potencial të madh, por të pashfrytëzuar, ndryshe nga Premier Liga. Shpresoj që një ditë kompani si Amazoni, Ejpëlli (Apple), Komkast, Diznej, Gugëll (Google) apo Netfliksi të vijnë tek ne”.
Presidenti bavarez thotë sinqerisht se ndryshimi i realitetit ekonomik në Europë ka sjellë edhe ndryshim të mentalitetit në “Alianc Arena”. “Nëse do të më kishin thënë 3 vjet më parë që të shpenzoja 100 milionë euro për një lojtar, nuk do të kisha pranuar, – tha ai, – ndërsa sot, kjo mendohet krejt natyrshëm”.
Sfidanti.al