Joakim Lëv i ka krijuar një problem Niko Kovaçit tek Bajerni

Xhoshua Kimih është një lojtar i njohur tashmë si mbrojtës i djathtë. Tek Bajerni, por edhe te kombëtarja e Gjermanisë, ai është parë gjithnjë si pasardhës i kapitenit të mëparshëm Filip Lahm, veçse tani gjërat kanë nisur të ndryshojnë. Joakim Lëv, trajneri i kombëtares, vendosi ta provonte Kimihun si mesfushor para mbrojtjes, pozicioni që quhet “numri 6”, diçka që e ka bërë shumë mirë, le të themi Shabi Alonso tek Bajerni.

Si numër 6, Kimih luajti në dy ndeshje, ndaj Francës dhe Perusë, dhe Lëv u shpreh se “unë do të kërkoj që ai të jetë sërish numri 6, pasi e kreu shumë mirë gjithçka që kërkon ai rol”. Vetë Kimih ka deklaruar se pozicioni numër 6 është i preferuar për të, veçse kur u kthye tek Bajerni, trajneri Niko Kovaç, e nxorri përsëri mbrojtës të djathtë. Trajneri kroat e mori veçmas 23-vjeçarin, siç duket për t’i spjeguar se tek Bajerni ka shumë konkurrencë në mesfushë, ndërsa roli që mbetet bosh, pa Kimihun, është mbrojtësi i djathtë.

Sfidanti.al