Jo festë para Seviljes, por për Bajernin pati një përjashtim

Trajneri Jup Hajnkes u tregua i qartë dhe i prerë. “Nuk mund të festojmë tani fitoren e titullit, pasi na pret ndeshja ndaj Seviljes”, – ishin fjalët e tij, pasi lejoi lojtarët të gëzoheshin dhe të shijonin paksa alkool në dhomën e zhveshjes në stadiumin e Augsburgut, të shtunën. Më tej, do të kishte vetëm regjim normal, pasi mesjava ka ndeshjen çerekfinale të kthimit në Champions.

Gjithsesi, yjet e Bajernit duket sikur e shkelën disi urdhërin e shefit të tyre. Gazeta tabloide “Bild”, që bredh me aparat fotografik pas tyre, i zbuloi ndërsa shkuan mbrëmjen e së shtunës, në orën 21:30, në restorantin “Burger & Lobster Bank” në qendër të Mynihut. Pjesa më e madhe e lojtarëve u grumbulluan njëri pas tjetrit, pa praninë e trajnerëve dhe të drejtuesve të klubit si Hënes apo Rumenige.

Njëri prej tyre, madje, erdhi me Ferrari, sipas asaj që shkruan “Bildi” dhe me siguri ai ka qenë Robert Levandovski. Sidoqoftë, nuk besohet se kampionët e rinj të Gjermanisë festuan gjatë, ndërsa mendohet se kanë porositur specialitetin e restorantit, një burger të përmasave të mëdha, shoqëruar me mish në zgarë, dhe që kushton 40 euro.

Sfidanti.al