Lajmi i mirë nga Bahreini është që mekaniku i Ferrarit është mirë, pasi u godit keqaz nga makina e Kimi Raikonenit. Skuadra italiane njoftoi se ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital vendas, ndërsa kishte thyerje në kockat e këmbës. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë garës së mbrëmshme të Formula 1, kur një ngatërresë thuajse shkaktoi tragjedi.
Ferrari hapi një hetim të brendshëm për të gjetur shkaqet, ndërsa FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) i gjobiti italianët me 50 000 euro. Raikonen erdhi në ndalesë për të ndërruar gomat, dhe ndërsa njëra prej tyre nuk ishte vendosur ende siç duhet në vend, u ndez drita jeshile që do të thotë “semafor i hapur”.
“Detyra ime është të nisem kur drita është jeshile, – u shpreh piloti finlandez, i cili nuk pati asnjë faj për atë që ndodhi, – më vjen keq për atë që ndodhi, më vjen keq për mekanikun dhe që nuk e përfundova dot garën, por ja që ndodhi”.
Sfidanti.al