Stef Kërri, kur do të kthehesh që Golden Stejti të shpresojë?!

Në një fund sezoni tepër dramatik, Golden Stejt Uorriors kaloi nga humbja në humbje për shkak të dëmtimit të yllit të vet kryesor, Stefën Kërri. Pavarësisht se nuk ka zbritur më poshtë se vendi i dytë në Perëndim, kampionia e NBA-së ka qenë një skuadër “e rëndomtë” pa Kërrin, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Kevin Durantit.

Tifozët bëjnë pyetjen më të madhe: Stef Kërri, kur do të kthehesh? Ekziston mundësia që ai të jetë bashkë me shokët në raundin e dytë të plej ofit, nëse Golden Stejti kualifikohet, ndonëse asgjë nuk mund të thuhet me siguri.

“Nuk ka asnjë prishje plani, – siguron Kërri, – gjithçka po ecën sipas kalendarit që kemi përpiluar me mjekët dhe trajnerët. Kam bërë ushtrime me biçikletë, vrapim dhe gjuajtje drejt koshit”.

Golden Stejti, ndërkaq, e fitoi ndeshjen e fundit në NBA (117-100), atë në fushën e Feniksit, dhe heroi kryesor ishte kapiteni Klej Tompson. Ai shënoi 34 pikë në 34 minuta lojë, ndërsa trajneri Stiv Kerr, nuk lodhi shumë dy yjet e tjerë, Durantin dhe Drejmond Grinin, për t’i pasur sa më të freskët për në plej of.

Sfidanti.al