Heroi Gnabri, përse vonove 12 vjet për të shkuar tek Bajerni?

Në “Alianc Arena” mbërriti në 2017, kur ishte 22 vjeç. Serg Gnabri vlerësohej si shumë i mirë, por tashmë është një yll pas 4 golave në fushën e Totenhemit. Gjithsesi, është vetë mesfushori ofensiv që tregon se ai mund të kishte qenë lojtar i Bajernit që në moshën 10-vjeçare, por nuk mundi ta bënte diçka të tillë. Jo se klubi nuk deshi, apo se pati ndonjë pengesë nga ndonjë klub tjetër! Jo, pengesa e vetme dhe vendimtare ishte babai i tij, Zhan-Herman Gnabri.

Përse? Sepse babai donte që të ishte edhe trajner i të birit, dhe këtë nuk e bënte dot në Mynih. Sergi iu lut shumë babit, por nuk ia ktheu dot mendjen, ndaj edhe u mërzit e derdhi lot. Zhan-Hermani lejoi që djali i tij të shkonte deri tek Shtutgarti, ku ai mund të ishte gjithnjë pranë. “Sot më duhet të pohoj se babai kishte të drejtë”, – thotë Gnabri. Në moshën 15-vjeçare kaloi tek Arsenali, dhe Zhan-Hermani i dha fund rolit të tij të dyfishtë baba-trajner. Historinë e mëvonshme ne e dimë që të gjithë …

Sfidanti.al