Ulisses Alves da Silveira ishte një prej talentëve më premtues të akademisë së Fluminense, aq sa në vitet e para të karrierës së tij arrinte të tërhiqte më shumë vëmendje se Marcelo, futbollisti që më vonë do të shndërrohej në një prej legjendave të Real Madridit dhe një prej mbrojtësve të majtë më të spikatur të historisë së futbollit. Dy vite më i madh se Marcelo, Ulisses konsiderohej një talent i veçantë. Një prej trajnerëve të tij në akademinë e Fluminense e kishte përshkruar madje si “magjik”. Megjithatë, karriera e tij nuk mori drejtimin që shumëkush parashikonte. Ulisses ka ndërruar jetë në moshën vetëm 39-vjeçare, pasi pësoi një infarkt të papritur pranë shtëpisë së tij, në São Gonçalo, në rajonin metropolitan të Rio de Janeiros. Ai ndërroi jetë në vendngjarje. Në një intervistë për “Globo.com”, nëna e tij, Veronica da Silva Alves, ka treguar se problemet me drogën ndikuan rëndë në jetën e djalit të saj. Ajo ka rrëfyer se ai shpesh dilte nga shtëpia pa ngrënë dhe se kjo gjendje e dobësoi ndjeshëm. Familja nuk e lidh drejtpërdrejt shkakun mjekësor të vdekjes me drogën, por beson se varësia luajti një rol të rëndësishëm në përkeqësimin e gjendjes së tij. Ulisses u bë profesionist në vitin 2006, por nuk arriti të kishte vazhdimësinë e pritur. Ndërkohë, Marcelo po zhvillohej tek Fluminense dhe shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha europiane. Vetë Marcelo ka pranuar se mungesa e vazhdimësisë së Ulisses ndikoi në rrugëtimin e tij: “Mungesa e vazhdimësisë së Ulisses më hapi dyert”. Ulisses u huazua te Juventude dhe më pas luajti në Turqi me Kasımpaşa-n. Ai ishte pranë transferimit te Vasco da Gama, por marrëveshja u anulua pasi nuk u paraqit në fazën përgatitore. Ai la pas dy djem, Kauã, 20 vjeç, dhe Caio, 17 vjeç, të cilët kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e babait dhe po formohen gjithashtu si futbollistë.

