Hënes: Levandovski, me mua mund të flasësh në 2 shtator!

Afati i fundit për një transferim këtë verë është 31 gushti. Uli Hënes, presidenti i Bajernit të Mynihut, e di shumë mirë këtë dhe ia mbylli derën një ikjeje të mundshme të Robert Levandovskit nga skuadra. “Ai dhe agjenti i tij më kërkuan takim 4 ose 5 herë, – tregoi vetë Hënesi për mediat, – u thashë se jam i disponueshëm në datën 2 shtator, në orën 14:30”. Hënes shtoi se i vetmi njeri të cilin nuk mund ta kushtëzojë është agjenti i Levandovskit, Pini Zahavi, por zgjodhi rrugën që të mos e takojë dhe të mos e dëgjojë.

Levandovski duket se dëshironte të largohej nga Bajerni për tek Reali i Madridit, të paktën kështu është thënë gjithë këto kohë. “Vendosëm të mbanim pozicionin tonë”, – deklaroi edhe një herë numri 1 bavarez. Sulmuesi polak ka rifituar aftësinë e golit këtë nisje sezoni, pasi shënoi 3 gola në Superkupën ndaj Frankfurtit, si dhe golin e fitores në Kupën e Gjermanisë në fushën e Drohterzenit.

Sfidanti.al