Flik, dëgjoji lavdërimet e Mateusit dhe të Miro Kloses!

Legjenda e Bajernit bëri një krahasim me një legjendë. Duket se trajneri i ri bavarez po fiton gjithnjë e më shumë pikë, dhe Lotar Mateus nuk ngurroi ta cilësonte një “Jup Hajnkes” të ri. Diçka e madhe për një teknik që ka vetëm disa javë në stolin e një skuadre profesioniste, por rezultatet flasin vetë, dhe po ashtu edhe loja. Fitorja 4-0 në fushën e Hertës së Berlinit tregoi shumë, pasi skuadra e Klinsmanit nuk ishte pa vlera. “Hansi Flik është Jup Hajnkesi i ri, – shprehet Mateusi, – nëse ai arrin suksese, atëherë Bajerni duhet t’i besojë. Ai di t’i bindë lojtarët dhe t’i bëjë ata të qeshin. Kjo është e rëndësishme në Mynih, pasi rezultatet dhe loja e mirë vijnë edhe për shkak të atmosferës”.

Miroslav Klose, rekordmeni i golave në Botërorë, e njeh Flikun dhe bën këtë “karakteristikë”. “Në tërësi, Fliku është njeriu i duhur për Bajernin, – tha ai, – ai e njeh shumë mirë taktikën dhe flet me gjithkënd që ka në skuadër. Lojtarët dhe ndihmësit kanë kënaqësi të punojnë me të, dhe mjafton të shikoni sesa mirë po luan Kutinjo. Hansi është shumë kërkues, por i jep liri lojtarëve dhe jep vetëm pak udhëzime. Ai e di se lojtarët e Bajernit kanë mjaft përvojë sa për shumë gjëra t’ia dalin vetë”.

Sfidanti.al