“Do të kemi përballë një kundërshtar të vështirë këtë të shtunëm, – u shpreh trajneri, – do të na vendosë nën presion të madh”. Fjala është për duelin e Bajernit me Shalken, ndeshje që vitet e fundit nuk ka qenë ndonjë enigmë përsa i përket rezultatit, por duket se kohët kanë ndryshuar. Shalke mundi 2-0 Gladbahun e fortë në rifillimin e kampionatit, dhe Hansi Flik ka dëshirë t’i paralajmërojë djemtë e tij. Sipas gazetës “Bild”, trajneri bavarez ka kërkuar nga yjet që “të kemi zotërim topi, ta qarkullojmë shpejt sferën dhe me pasime diagonale”.
Nuk dihet se cili do të jetë formacioni i Bajernit për të shtunën, por Fliku ka bërë mjaft ndryshime, mjaft eksperimente gjatë javës, me Dejvisin, Kutinjon, Gnabrinë, Pavarin dhe të sapoardhurin Odriozolën. Spanjolli 24-vjeçar është ndihmuar nga Tiago Alkantara në rolin e përkthyesit, por besohet se fillimisht ai do të jetë në stol. Bajerni është në vend të dytë në Bundesligë, katër pikë prapa Lajpcigut, dhe e ka të qartë se nuk i lejohet asnjë gabim.
Sfidanti.al