Dortmundi e fiton sërish titullin për … tifozët në stadium!

Nuk ka rival në këtë konkurrencë, dhe ia del pas çdo sezoni e pas çdo viti. Borusia e Dortmundit e mbylli 2019-ën në vendin e parë në klasifikimin për mesataren e tifozëve në stadium, një lloj ngushëllimi sado i vogël për mosfitimin e Bundesligës. “Muri i Verdhë” në “Signal Iduna Park” ishte impresiv me mesataren 81 073 spektatorë për çdo takim. Kjo për gjysmën e parë të sezonit të Bundesligës, dhe në 8 ndeshje, verdhezinjtë kishin në total afërsisht 650 000 tifozë.

Bajerni doli i dyti në këtë gjysmëgarë, me mesataren 75 000 tifozë për ndeshje, që do të thotë se “Alianc Arena” ishte i mbushur plot e për plot çdo herë. Në 9 ndeshje, bavarezët patën 675 000 tifozë në total. Podiumin e plotëson një tjetër skuadër shumë e ndjekur, rivalja e Ruhrit për Dortmundin, Shalke. Klubi nga Gelsenkirsheni pati gjithashtu një stadium të mbushur 100 për qind, me mesataren 61 148 spektatorë për ndeshje. Në total, në “Arena Auf Shalke” ishin mbi 550 000 tifozë në 9 ndeshje. Më pak tifozë mesatarisht patën modestët e Paderbornit, klubit të Klaus Gjasulës, me 14 349 njerëz për çdo ndeshje.

Sfidanti.al