Nuk është hera e parë që Dortmundi ndeshet në Europë me Atletikon e Madridit. Gazeta gjermane “Bild” i ka hedhur një sy bilancit, dhe ka nxjerë përfundimin sesa herë është përballë “bardhekuqve”, Borusia fiton trofeun kontinental. Kështu ndodhi në sezonin 1965-1966 në Kupën e Kupave dhe skuadra gjermane bëri një marshim “triumfal” derisa fitoi 2-1 edhe finalen ndaj Liverpulit.
Në 1996-1997, ekipi i atëhershëm i Otmar Hicfeldit u përball në Champions, në fazën e grupeve, me Atletikon, dhe arriti finalen e Mynihut, duke fituar 3-1 ndaj Juventusit. Mos vallë do të ndodhë po kështu edhe këtë herë?
“Bildi” veçon edhe disa fakte të tjera për formacionin e trajnerit Lysien Favre, që ai është një “fabrikë golash”, me 6 ndeshjet e fundit të fituara me shifrat 7-0, 4-2, 3-0, 4-3, 4-0 dhe 4-0. Po ashtu, kjo Borusia është vërtet “zonjë shtëpie”, pasi i ka fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi këtë sezon, plot gjashtë, me golaverazhin 25-5!
Sfidanti.al