Çfarë konflikti Bajern-Lajpcig për Timo Vernerin!

Karl-Hajnc Rumenige bëri një paralajmërim. “Kam shumë përvojë në këtë biznes, – tha shefi ekzekutiv i Bajernit, – kokëfortësia dhe gjaknxehtësia nuk të ndihmojnë në këtë punë”. Fjalët e “Kalles” ishin për drejtuesit e RB Lajpcigut, të cilët janë hedhur përpjetë pas lajmeve se Bajerni ka akord me sulmuesin e tyre, Timo Verner.

Historia e Vernerit, sulmues i kombëtares gjermane, është e mbushur me dredhi dhe prapaskena, siç ndodh rëndom në futbollin profesionist. E qartë që ai dëshiron të shkojë tek Bajerni, ndërsa kontrata me Lajpcigun përfundon në 2020. Këtu fillon problemi, pasi klubi i Lindjes së Gjermanisë kërkon një transferim në verë, për të përfituar atë që e quan të drejtë nga kartoni i tij.

Bajerni, ndërkaq, duket se dëshiron të presë deri në 2020, për ta marrë falas, siç bëri me Levandovskin. “Nuk do të ketë më raste si Gorecka apo Levandovski”, – ishin fjalët e drejtorit sportiv të Lajpcigut, Ralf Rangnik. Trajneri Minclaf nxjerr një detaj kur thotë se “ne kemi një marrëveshje me lojtarin dhe agjentin e tij, për të rinovuar kontratën në verë, ne i qendrojmë akordeve”. Presidenti i Lajpcigut, 74-vjeçari Mateshiç, tha shkurt: “Ai nuk do të largohet me çmimi të lirë”.

Sfidanti.al