Bilanci financiar i sezonit të kaluar doli shumë i mirë. Bajerni pati të ardhura prej 657 milionë eurosh, një rritje prej 17 milionë eurosh në krahasim me një vit më parë. Viti u mbyll me fitim prej gati 30 milionë eurosh (diçka më pak se vjet) dhe shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, tha se bavarezët mund të ishin të lumtur.
Dakord, Rumenige, por skuadra e këtij edicioni nuk duket aq e mirë sa buxheti i klubit, ndërsa Borusia e Dortmundit i ka të gjitha mundësitë të shkëputet për të fituar titullin.
Këtë fundjavë ndaj Dyseldorfit, Bajerni mund të jetë edhe pa Robert Levandovskin, që u kthye me dëmtim në gju nga kombëtarja, ndërsa mungojnë edhe lojtarë të tjerë si Koman apo Tiago Alkantara.
Presidenti Uli Hënes dhe “Kalle” Rumenige e dinë këtë gjë, ndërsa po bëjnë përpjekje për rinovim. Sulmuesi i ri i shkëlqyer i Bundesligës, Luka Joviç, është në shënjestër (atë e duan edhe Liverpuli e Barcelona), po ashtu ylli i Dortmundit, Pulishiç. Në skuadër ka mbërritur tashmë, 17-vjeçari Alfonso Dejvis, që më parë ka luajtur në Kanada për Vankuver Uajtkaps.
Sfidanti.al