“Mos u lodhni për të kërkuar tjetër, Ikardi është numri 9 i Argjentinës”. Kështu titullonin gazetat pasi bardhekaltërit fituan 2-0 ndaj Meksikës në Mendoza, dhe sulmuesi i Interit shënoi golin e parë. Ishte jo vetëm rrjeta e parë e ndeshjes, por e para në mënyrë absolute për 25-vjeçarin, në ndeshjen numër 8 për kombëtaren e tij.
Ishte po goli i parë për Paulo Dibalën, që ka luajtur më shumë sesa Ikardi, plot 18 takime me fanelën “albiseleste”. E gjitha kjo në mungesë të Lionel Mesit, ndërsa trajneri Lionel Skaloni duket se po përgatit ekipin për një të ardhme pa superyllin e Barcelonës.
Për Ikardin është një lloj revanshi, pasi fjalët kanë qenë që ishte Mesi që nuk e donte në kombëtare, ndërsa tani ai tregohet vendimtar kur Leo nuk është. Interesante edhe prania në fushë e djalit të Diego Pablo Simeones, Zhovani Simeone, që ndihmoi për golin e dytë të Dibalës, tri minuta para fundit.
Sfidanti.al