Bajerni i nxehur me “Frans Futbollin”, por ka shpresë tek FIFA për Levandovskin!

Karl-Hajnc Rumenige nuk la asnjë dyshim për ndjenjat e tij, pasi Topi i Artë u anulua në Paris. Shefi ekzekutiv i Bajernit të Mynihut deklaroi se ky vendim i revistës “Frans Futboll” dëmtoi rëndë shanset e Robert Levanovskit për ta fituar trofeun e madh individual. “Nuk ishte një vendim shumë i ndershëm, – tha ai, – jo vetëm për Bajernin, por sidomos për Robert Levandovskin, i cili mund të kishte fituar”. Sulmuesi polak shënoi 51 gola këtë sezon, duke qenë më i miri në Europë, edhe më mirë se Kristiano Ronaldo, Çiro Imobile apo Erling Haland. “Frans Futbolli” e anuloi Topin e Artë, besohet sepse liga franceze nuk u arrit të luhej, duke dëmtuar Mbapenë e Nejmarin. Gjithsesi, Bajerni shpreson që FIFA ta organizojë Çmimin e Lojtarit të Vitit, dhe Levandovski ta fitojë një trofe të madh individual.

Sfidanti.al