A mund të blihet titulli me 100 milionë? Pyesni Dortmundin!

Sezonin që sapo u mbyll, u dogj për fare pak. Borusia e Dortmundit mbeti prapa Bajernit vetëm për 2 pikë dhe humbi titullin e Bundesligës, duke përforcuar legjendën e përhershme se bavarezët, nëse duan, nuk kanë rivalë në Gjermani. Madje, pritej një “plaçkitje” e verdhezinjve pas një edicioni mjaft të mirë për pretendimet e tyre të vogla dhe moshën e re të lojtarëve.

Për momentin, “eksodi” nuk po ndodh, edhe pse mund të ketë transferime. Në të kundërt, transferimet janë “në hyrje” dhe drejtuesit e Dortmundit kanë afruar 3 lojtarë shumë të mirë, duke i marrë nga rivalët brenda Bundesligës. Shefi ekzekutiv, Vacke, dhe drejtori sportive Cork kanë shpenzuar plot 100 milionë euro për të marrë Julian Brantin nga Leverkuseni, Torgan Hazarin nga Mynshengladbahu dhe Niko Shulcin nga Hofenhajmi, me të cilin kanë zgjidhur problemin e mbrojtësit të majtë.

“Ne jemi të vetmit që mund të quhemi fuqia e dytë në Gjermani, – tha shefi ekzekutiv Vacke, – do të jemi më ambiciozë dhe më agresivë në të ardhmen”. Përveç marrjes së 3 lojtarëve të mësipërm, Dortmundi përfundoi marrjen e plotë të kartonit të sulmuesit Pako Alkaser nga Barcelona.

Sfidanti.al