Shumë gola dhe emocione u përjetuan në ndeshjen e javës së 21 të Bundesligës mes Borussia Dortmund dhe Hoffenheim, sidomos në minutat e fundit të saj. Në Signal Iduna Park kjo ndeshje përfundoi me barazimin 2-2 me Erling Haaland që u bë protagonist i verdhezinjve teksa i dha mundësinë skuadrës së tij që të fitojë 1 pikë nga kjo sfidë.
Ndeshja nisi shumë mirë për të zotët e shtëpisë që në minutën e 25 gjetën golin e avantazhit me anë të Sanchos pas kombinimit me Haaland dhe Guerreiro, por kryesimi në rezultat i Dortmund zgjati vetëm 6 minuta pasi Dabbur barazoi gjithcka në 1-1 për Hoffenheim. Goli ndezi akoma më shumë miqtë që në minutën 51 realizuan përmbysjen teksa shënuan golin e avantazhit 2-1 me Bebouqë shfrytëzoi një pasiguri të portierit Burki. Dita ters e Borussias vijoi me golin e anuluar të Haaland për një pozicion jashtë loje, por norvegjezi nuk u dorëzua dhe në minutën e 81 shpëtoi të tijtë nga humbja duke shënuar golin e barazimit 2-2 dhe duke i dhënë skuadrës 1 pikë të rëndësishme për të mos humbur shumë terren me skuadrat më sipër në renditje.
Sfidanti.al