Atletico Madrid thyen Granadën me Llorenten e Correan

Barazimi në ekstremis ndaj Celta Vigos ishte një rastësi, ky është mesazhi dhënë nga Atletico Madrid që nuk përsëriti gabimin dhe mundi Granadën  në fushën e kësaj të fundit  me rezultatin 2-1. Pjesa e parë e sfidës nuk pati gola, por skuadra e Atleticos flirtoi shpesh me të me Luis Suarez që ishte gati në cdo moment që të ndëshkonte kundërshtarët.

Edhe pjesa e dytë nisi me tentativën e Atleticos për të shënuar me uruguajanin, por ai që gjeti rrugën e rrjetës ishte pikërisht Marcos Llorente. Në minutën e 63, me një të majtë nga hyrja e zonës, Llorente dërgoi topin në rrjetë. Por festa e Los Colchoneros nuk zgjati shumë, sepse pas disa minutave, Herrera gjeti golin e barazimit pas një kaosi të krijuar në zonë gjatë ekzekutimit të një goditje këndi.

Dukej se edhe kjo sfidë ishte ‘e mallkuar’ për skuadrën e Simeones , por fati këtë radhë e ndihmoi Atleticon që me Correan gjeti edhe golin e dytë dhe të fitores 2-1 për të regjistruar suksesin e 8 radhazi në transfertë në kampionatin spanjoll.

Sfidanti.al