Bonucci kërkon Champions League…si trajner

Leonardo Bonucci njoftoi tërheqjen nga futbolli vetëm para disa ditësh teksa aventura e fundit për italianin ishte ajo me Fenerbahcen. Edhe pse në fakt, ish-mbrojtësi do të donte një fund tjetër për karrierën e tij, teksa dëshira ishte të tërhiqej me Juventusin. Por, polemikat me Massimiliano Allegrin në fillimin e sezonit bënë që Bonucci të largohej nga skuadra. Tashmë, me statusin e ish-futbollistit, Bonucci shprehet se mund ta kishte menaxhuar ndryshe situatën me teknikun livornez, edhe pse shtoi se Allegrin nuk do ta ftonte as për kafe.

“Hera e fundit që kam biseduar me Allegrin ka qenë në majin e vitit 2023. Secili bën sjelljen që e mendon më të mirën për veten. Për atë që kemi kaluar bashkë në shumë vite, mendoj se ai raport mund të ishte menaxhuar më mirë, edhe pse Allegri nuk më donte më në skuadër. Nëse e takoj në një lokal do ta përshëndesja, por nuk do ta ftoja për një kafe. Një rikthim në Torino? Ëndrra ime është të fitoj Champions League si trajner i Juventus duke qenë se si lojar nuk ia dola. Nëse Chiellini do të ishte drejtor sportiv, atëherë do të ishte një raport i shkëlqyer profesional dhe miqësor. Por, para së gjithash kemi një rrugëtim për të përfunduar deri sa të mbërrijmë në këtë pikë. Thiago Motta te Juventus? Më pëlqen, është i drejtëpërdrejtë dhe me personalitet. Ka të gjitha letrat në favor për t’ia dalë me Juventusin dhe për ta udhëhequr skuadrën drejt futbollit modern, por e theksoj se i duhet dhënë kohë. Unë e kam vlerësuar shumë kur ishim në kombëtare, ishte shumë i rëndësishëm në Euro 2012. Motta i ka idetë shumë të qarta”, u shpreh Bonucci.

sfidanti.al