Kluazola prej 100 milionë eurosh, për prishjen e kontratës nuk e ka frikësuar Mançester Junaitid. Sipas “Daily Express”, klubi i “Old Traford”, me qëllimin për të siguruar sulmuesin e Torinos, është gati të paguajë shumë e plotë të parashikuar në kontratën, që lojtari sapo ka rinovuar me klubin e tij. Presidenti Urbano Kairo e ka blinduar lojtarin deri në 2021-in, duke përfshirë në marrëveshje klauzolën prej 100 milionë eurosh për prishjen e kontratës, që është e vlefshme vetëm për klubet e huaja.
Një shifër kjo që duhej të trembte shumë klube, por jo Junaitid të Hose Murinjos, që sipas gazetës angleze është gati të përmbushë shumën e përcaktuar nga Torino, vetëm që ta marrë lojtarin në “Old Traford”.Ndërkohë, në ditët e kaluara, është folur edhe për një interesim të Napolit dhe Liverpulit për sulmuesin italian. Të parët janë gati të oferojnë 40 milionë euro, ndërsa Jurgen Klop është shumë larg klauzolës, duke ofruar vetëm 22 milionë për shërbimet e italianit. 22 vjeçari po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në Serie A ku ka shënuar 10 gola në 13 ndeshje, duke dhënë edhe 3 asiste.