Sulmuesi i Realit të Madridit. Karim Benzema, u la, edhe një herë tjetër, jashtë formacionit të Francës, ndërsa trajneri i saj, Didie Deshamp, publikoi listën e lojtarëve që janë thirrur të mbrojnë ngjyrat e “gjelave galezë” në ndeshjet me Holandën dhe Luksemburgun. Kështu, kanë kaluar, tanimë, dy vite që Benzema nuk e ka veshur më bluzën e përfaqësueses frranceze që, sipas medias vendase, është pasojë e përfshirjes së tij në kërcënimet që i janë dërguar futbollistit Matje Valbuena. “Ju e dini qëndrimin tim. Në ekipin tim nuk ka vend për të”, deklaroi Deshamp.
Futbollisti i ri i Monakos, Kilian Mbape, për të cilin thuhet se është para transferimit për te PSZH-ja, është thirrur në përfaqësuesen franceze. Antoan Grizman që, në fakt, nuk po shkëlqen, aktualisht, me Atletikon e Madridit, gjithashtu, është thirrur në kombëtaren e Francës, megjithëse atë e pret një pauzë prej dy ndeshjesh në Primerën spanjolle. “E di që Grizmani nuk është 100 për qind gati, por kualiteti i tij e bën atë të nevojshëm në fushë dhe për të do të ketë vend, gjithnjë, në ekipin tim”, tha Deshampi.
Sfidanti.al