“Bejbi fejs” nuk është aq i urtë sa duket: Tërbohet në dhomën e zhveshjes

“Bejbi fejs”, sikurse i thonin dikur trajnerit aktual të Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer (45 vjeç), për shkak të “fytyrës si fëmijë” të tij, mbas humbjes 0-2 të ekipit të tij nga PSZH-ja në “Old Trafford”, tregoi se ai di edhe të zemërohet në dhomën e zhveshjes. Duhet të vihet në dukje se parisienët i shënuan golat e tyre në situata të lehta, pra për faj të mbrojtjes së Junajtidit.
“Ole u tha lojtarëve se ata luajtën pa u treguar luftarakë, ndërkohë që u tërhoqi vërejtjen se ata i pësuan golat shumë kollaj dhe se në të ardhmen ata në asnjë mënyrë nuk duhet të pësojnë gola të lehtë”, i tha një burim i brendshëm gazetës britanike “Sun”, që shtoi se duket se duke marrë shkas nga fjala e Solskjerit, Pol Pogba që konsiderohet si një nga lojtarët kyç të ekipit dhe që në këtë ndeshje jo vetëm që u paraqit dobët, por edhe mori karton të kuq, e ndjeu të nevojshme që të bënte autokritikë, duke u kërkuar falje bashkëlojtarëve të vet për paraqitjen e dobët dhe të kuqen që mori.
Intersant është fakti se Pogba më shumë gabime bënte, kur luante nën drejtimin e trajnerit të mëparshëm, Zhoze Murinjo, por atëkohë ai kurrë nuk bëri ndonjë autokritikë para ekipit.
Sfidanti.al