Reali i Madridit është në një situatë aspak të mirë me rezultate sportive që nuk janë aspak në linjë me të kaluarën e lavdishme të klubit në kampionat të shoqëruar edhe me eliminimin e bujshëm nga Kupa e Mbretit. kësaj i shtohen edhe problemet me dëmtimet në skuadër me trajnerin Zidane që po humbet elementë shumë të rëndësishëm këto ditë. Kështu, pas Eden Hazard që pësoi një tjetër dëmtim muskular, Reali do të duhet që të bëjë edhe pa kapitenin e tij Sergio Ramos.
Qendërmbrojtësi andaluzian do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni në meniskun e gjurit të majtë dhe do të duhet të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën 6 javë. Janë këto mungesa shumë të rëndësishme për Los Blancos teksa shohin që të afrohet ndeshja e 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve me Atalantën. Hazard do të mungojë në ndeshjen e parë të eliminatores me bergamaskët, ndërsa Sergio Ramos do të humbasë të dyja përballjet me skuadrën e Gasperinit që ka mundësinë që të ëndërrojë sërish cerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube.
sfidanti.al