Janë 16 gola në vetëm 17 ndeshje kampionati dhe ky njeri ka gjetur thuajse të njëjtin ritëm që kishte në vitet më të mira tek Reali. Le t’ia heqim kapelen në shenjë respekti një gjahtari të tillë futbolli si Kristiano Ronaldo që nuk e zhgënjeu veten as në ditëlindjen e 36-të. Shënoi gol ndaj Romës, detyroi mbrojtësin kundërshtar (Ibanjezin) që të shkaktonte autogol, dhe arriti një fitore në radhët e Juventusit të tij, që e mbajnë me shpresë për ta ruajtur titullin e fituar dy herë radhazi në Itali.
Lavdërimet për superyllin portugez ishin të shumta, qoftë për rendimentin e jashtëzakonshëm, apo për mënyrën sesi shënoi gol (ndalim mjeshtëror topi dhe goditje prej bilardoje). Marash Kumbulla (në foto përballë CR7-ës) bëri gjithçka, ashtu si gjithë Roma, por një “alien” i tillë është i vështirë për t’u ndalur. “Luajtëm ashtu siç bëri Roma ndaj nesh në ndeshjen e parë, – tha trajneri Andrea Pirlo, – u përpoqëm të mbroheshim mirë dhe të kundërsulmonim më saktë. Roma është ekip që sulmon me shumë lojtarë dhe lë hapësira prapa. Mund të luajmë kështu në të ardhmen, sepse duke pasur ndeshje çdo tri ditë është vështirë të luash gjithnjë në sulm”.
Roma gjithsesi nuk ishte keq, dhe bëri gjithçka për të marrë rezultat. “Luajtëm me kurajë, – tha trajneri Fonseka, – për fat të keq na mungoi goli, sepse nuk ishim të saktë sa duhet. Është sinjal pozitiv që detyruam të mbyllej në mbrojtje një ekip si Juventusi. Gjithsesi, në futboll fiton ai që shënon golin”. Juventusi arriti në 42 pikë në renditje ndaj 40 të Romës, pra duke bërë parakalimin e duke u ngjitur në vendin e tretë.
Sfidanti.al